Jeni nisur këmbë në një qytet perëndimor disa milionësh. Ju vjen në mendje se në shumë kulturuara të botës, budallai i fshatit kujtohet si ikonë e kulturës së rrethit të tij. Në aspektin e popullaritetit, ai ka qenë shpesh më i njohur se shefi i policisë apo kryetari i komunës. Ka raste kur ai e ka bërë të njohur fshatin e tij në një kontinent madje edhe në botë. Për shkak të origjinalitetit të tij, budallai i fshatit mund të ketë qenë më i njohur në botë sesa prokurori i përgjithshëm ose se vetë presidenti i shtetit ku ndodhet fshati.
Duke ecur, imagjinoni se ai simbol ka qenë i pazëvendësueshëm. Me të krahasoheshin veset e këqija. Pa të, si mund t’u thuhej fëmijëve se nuk duhej bërë ky apo ai gjest? Pa të, kujt do t’i visheshin thëniet apo gjestet torollake në mënyre që autori i tyre të ruajë anonimitetin? Pa të, kush do t’i dyfishonte vlerën monedhës kombëtare vetëm duke e shikuar në njërën anë e pastaj në anën tjetër? Pa të, kush do t’i tregonte komeditë dhe tragjeditë si të vërteta? Pa budallain e fshatit, kush do të besonte se fjala e nderit është e ndershme?
I bini derës ku jeni mësyrë. Del ai të cilin në qytetin disa milionësh, bashkatdhetarët tuaj e quajnë “budallai i fshatit”. Ai edhe si emigrant, në një vend të huaj, deklaron se jeton me Kanun dhe e mban veten si plak i fshatit për shqiptarët... në qytetin e madh. Kur flet e përmend shpesh Kanunin dhe betohet në të sa herë që ka frikë se dikush nuk i beson asaj që thotë.
Pas përshëndetjes, ku bëhen pyetje shablloniste të mësuara përmendësh, mbase gjysma e fjalëve në një gjuhë të huaj, prisni që zoti i shtëpisë do t’ju ftojë të uleni. Ai ju thotë se jeni në shtëpinë tuaj. Kaq. Sipas Kanunit, në shtëpinë e tjetrit jeni në shtëpinë tuaj; ndërsa në shtëpinë tuaj jeni... i huaj?! E kuptoni se duhet të uleni. Kur uleni, mikpritësi, ju përshëndet edhe një herë, ju sjell gotën e zakonit dhe rri në këmbë para jush. Bisedon me juve dhe s’ulet dot. Gjithçka ju shkon ndërmend : Mos ka dhimbje në shpinë ? Mos i dhemb prapanica duke ndenjur gjithë ditën ulur dhe tani do të rri në këmbë? Pse të mos rri në këmbë? – thoni me vetë. Është në banesën e tij dhe mund të bëjë çka të dojë.
Ashtu në këmbë, ju shpjegon se djaloshi të cilin do ta takoni është i biri i një miku të shtëpisë së tij në vendlindje. Është i dalë nga dora e familjes së tij. Nuk ka rregull as Kanun dhe i janë mpirë trutë. Ju lind simpatia ndaj të përqeshurit dhe mezi prisni ta takoni. Pas një gjysmë ore, i paudhi (sipas plakut) vjen. Pas përshëndetjes, i porsaardhuri i thotë të zotit të shtëpisë të ulet. Zoti i shtëpisë ulet. E kuptoni se i paudhi e njeh më mirë Kanunin se ju. Çfarë tragjedie!
I zoti i shtëpisë, menjëherë i sjell mikut gotën e rakisë. Miku thotë se nuk pi alkool duke u arsyetuar se alkooli nuk është i mirë për shëndetin. Plaku insiston se duhet të pihet gota e rakisë për të respektuar ceremoninë e paraparë me Kanun. Miku paraqet argumentin për të arsyetuar refuzimin: Kanuni e fillon nxitjen e alkoolizmit me një gotë mikpritjeje. Pastaj, një nga fetë tona, duke e ndaluar, e nxit edhe me tepër. Nuk i thuhet atij që ka pirë një gotë, mos pi, sepse mu atëherë atij i pihet edhe më tepër!
Mikpritësi i sjell mikut një kafe të nxehtë dhe këtu fillon dialogu i nxehtë ndërmjet tyre. Miku i shtëpisë përfiton nga statusi që i jep Kanuni për t’u shprehur ndërsa tjetri e ka të drejtën e fjalës për shkak të moshës.
MIKPRITËSI : Sipas Kanunit do të duhej ta jepja kafen nën gju dhe gjithçka me dorë të majtë për të të përkujtuar se ke një gjak për të marrë. Nderi i familjes tënde ende nuk është larë.
MIKU : Mua nuk me pëlqen Kanuni. Kanuni e nxit bartjen e armëve dhe urrejtjen ndaj rrethit. Urrejtja më së shumti e dëmton atë që e kultivon dhe atij të cilit i drejtohet s’i bën gjë. Por, kur urrejtja rritet, ai i cili e kultivon çmendet dhe bëhet vrasës. Atëherë, tjetri pëson. Kështu, Kanuni ua merr jetën që të dyve.
MIKPRITËSI: Kanuni është provë se kemi pasur rregull dhe shtet si popull.
MIKU: Kanuni është provë se sot nuk kemi as rregull as shtet si popull. Kjo gjë duket nga aeroplani madje edhe nga hëna.
MIKPRITËSI: Pse, mikpritja është ves i keq i Kanunit?
MIKU: Po. Sipas Kanunit, i huaji duhet të jetë zot në shtëpinë tuaj. Për shkak të psikologjisë së krijuar nga Kanuni, shqiptari nuk është në gjendje të jetë zot i shtëpisë as i vendit të tij.
MIKPRITËSI: Ti flet kundër historisë së popullit tënd.
MIKU: Skënderbeu është heroi ynë kombëtar e jo ai bashkëkohësi i tij i cili ka reputacionin se është nismëtar i Kanunit. Kanuni e ka drejtuar popullin shqiptar në rrugë të keqe për t’i mundësuar pushtuesit turk të na pushtojë. Pse kush tjetër? Unë? Armiqtë e popullit shqiptar duan që edhe sot të jetojmë sipas Kanunit.
MIKPRITËSI: Ti do që të jemi pa Kanun e pa fe. Ti ke ikur nga vendi yt për të mos marrë gjak. Ia ke përlyer nderin babait, familjes dhe gjithë fisit tënd. Të është vrarë vëllai!
MIKU: Vëllai im ka vdekur në një aksident. Askush nuk e ka vrarë me paramendim. As unë nuk do ta vras askënd me paramendim.
MIKPRITESI: Ka pasur vdekje në shtëpinë tënde dhe ajo duhet të lahet me gjak. Pleqtë e fshatit kanë gjetur se, para shumë vitesh, të dy familjet kanë pasur një konflikt për një vijë uji. Kështu si bën ti, nuk të duhet asgjë jeta. Shqiptari jeton për dy gishta nder! Vetëm për dy gishta nder!
Në këtë moment e shihni në fytyrën e të riut një lloj satisfaksioni. Sikur e gjen atë që kërkon në thëniet e plakut. Nuk hyn më në ideologji por i përmend njerëzit e nderit të Kanunit, të cilët e nxisin vrasjen, me emër e mbiemër. Budallai i fshatit i njeh të gjithë dhe flet për ta me adhurim.
Më në fund, i riu e fut dorën në xhepin e brendshëm të setrës dhe kruhet pak duke e lëshuar një kollitje. Pastaj, kërkon lejen për të ikur. Plaku insiston ta shikoni videon së bashku në banesën e tij, siç ishte paraparë, por miku thotë se ka një takim dhe duhet të shkojë. Ju, gjithashtu, kërkoni leje për të ikur dhe dilni bashkë me të riun.
Me të dalur, refugjati jua jep videokasetën dhe një tekst në shqip. Teksti shpjegon shkaqet që e kanë detyruar atë ta lë vendlindjen. Ju kërkon t’i përktheni në gjuhën e vendit ku jeni. Pasi ecni një copë së bashku dhe largoheni nga banesa e plakut, refugjati nxjerr me ngurrim një magnetofon të vogël nga xhepi i setrës dhe jua jep edhe një audiokasetë ta përktheni.
Ktheheni në banesën tuaj dhe filloni punën. Duke e lexuar ngjarjen e bashkatdhetarit, keni dëshirë të besoni se është e sajuar. Edhe po të kishte qenë gënjeshtër do t’ju prekte thellë në zemër sepse asnjë pjesëtar i një populli tjetër të Evropës nuk do të mund të gënjente në mënyrë të tillë. Kush tjetër përveç shqiptarit do të thoshte: E kam braktisur vendin tim sepse s’dua të vras njerëz të pafajshëm?
Fatkeqësisht, kur e shikoni videon, bindeni shpejt se historia e tij është e vërtetë. Refugjati ka përjetuar një tragjedi të gjallë. Mençuria e ka drejtuar bëjë një incizim të fshehtë të kuvendit të pleqve analfabetë. Keni parë incizime të tilla të debateve të deputetëve në kuvendeve të shteteve. Keni parë, në disa raste, edhe filmime të gjykimeve. Kuptohet, pleqtë e fshatit nuk do të pranonin kurrë një filmim të hapur të kuvendit të tyre sepse një gjë e tillë nuk bën pjesë në procedurat kanunore. Manigancat dhe dallaveret bëjnë pjesë në kuvendet kanunore!
E shihni në incizim bashkatdhetarin tuaj dukë u dhënë argumentet pleqve se nuk do të marrë gjak: Vrasësi është gjykuar nga drejtësia kompetente dhe ai është momentalisht në burg. Fjalët e tij i destabilizojnë pleqtë. Duke e thirrur njeri tjetrin me emër e mbiemër, e kuptoni se pleqtë janë pjesëtarë të feve tona të ndryshme: myslimanë e krishterë.
Duke rishikuar videon, në disa repriza, e kuptoni qartë se kanunarët me shpirtngushtësinë e tyre i kanë përdorur pleqtë për të luajtur me jetën e shqiptarëve. Në një shoqëri normale, një gjykatëse ose një gjykatës që ka bërë shkollën dhe ka përvojën e nevojshme për një rol të tillë, kur arrin në një moshë të caktuar, del në pension...sepse nuk është më në gjendje të gjykojë. Kanunarët tanë të dashur, i përdorin pleqtë analfabetë si gjykatës mu në moshën kur s’janë më në gjendje të gjykojnë! Sikur ende pa u plakur, kanë ditur të gjykojnë...!?
Edhe pse puna juaj si përkthyes është ta ruani neutralitetin, epiteti popull kriminal që nuk i respekton ligjet dhe vlerat bashkëkohore, të cilin jua veshin kanunarët, ju nervozon jashtë mase. Duke e përkthyer dialogun e kasetës audio, ku morët pjesë si spektator, ju vjen edhe një ide tjetër: Kanunarët, me gjestet e tyre, bëjnë që populli shqiptar të jetë budallai i fshatit evropian. Thoni me vete: ua kthefsha me të mirë!
Keni konsideratë të madhe për guximin dhe iniciativën e bashkatdhetarit tuaj. I edukuar në bankat e shkollës të paguara me gjakun dhe djersën e popullit, ai ka mësuar të mos bie në grackën e kanunarëve gjakatarë. Rasti i tij ju kujton një thënie të shkrimtarit norvegjez Henrik Ibsen: Sa guxim i madh është i nevojshëm, në disa raste, për të zgjedhur jetën!
Pas përkthimit, siç ju ka porositur klienti, u kushtoni shumë kujdes provave origjinale: dy incizimeve. Pasi ta rregullojë strehimin e tij politik, bashkatdhetari juaj shpreson se ato dy fakte do të përdoren edhe në ndonjë gjykatë shqiptare, evropiane ose ndërkombëtare për gjykimin profesional, në bazë të ligjeve bashkëkohore, të atyre që e nxisin krimin e gjakmarrjes.
Disa kohë pas këtij shërbimi profesional të përkthimit, kuvendi i kanunarëve ju del gjithmonë përpara si vegulli. Nuk ju lë të qetë derisa e filloni shkrimin e parë kundër gjakmarrjes të serisë me titull : Kanuni i neglizhencës.