Një hata ju flet për nderin me fjalët e veta. Ju thotë se keni pirë kafe duke e prekur gjurin me bërryl para se të bërtasë: “Për shkak të këtij gjesti janë bërë gjaqet!!!”
Ju del gjumi. Ndiheni i liruar se ishit në ëndërr, në ankth. E pyesni veten: “Ç’ka nderi i Kanunit që trishton njerëzit në kohën kur s’është koha?” Ju kujtohet se keni pirë kafe para se të shkonit në shtrat. Keni një problem: kur pini kafe, s’flini dot. Njihni dikë të cilit i ndodh e kundërta: kur fle, s’pi dot kafe. Ju kujtohen tri raste tjera kur ju ka penguar kafja të fjeturit. Në secilin rast, sipas radhës, doza e kafeinës është më e madhe.
Rasti i parë. Jeni në një vend perëndimor. Pas një gjykimi, me nderë para muhabetit, për vjedhje, një i akuzuar ju takon rastësisht dhe ju ofron një kafe vetëm për t’ju nderuar si bashkatdhetar. Posa uleni në kafene, gjëja e parë që ju thotë për t’u mburrur me të keqen e tij është: “Se mos më humbi nderi i familjes, se mos po ma njohin fisin ose shtëpinë këta këtu”. Kur thotë “këta këtu” bën me dorë nga gjyqi. Nuk e kuptoni qartë se a flet për zonjën gjykatëse e cila posa e dënoi me gjobë, për autoritetet, apo për popullin mikpritës.
Pastaj, bashkatdhetari, ju tregon se familja nuk ka lidhje me vjedhjet e tij sepse ajo është e madhe me takam, me fe, me Kanun ... dhe ku nderi është i pastër si loti. Në atë fis ka pasur raste të vrasjes së vajzës nga babai, të motrës nga vëllai, të mbesës nga xhaxhai, të kushërirës nga kushëriri ... Pjesa e tregimit të hajnit të familjes së ndershme në lidhje me nderin e gruas, ju nxit disa pyetje: Nëse nderi i gruas shqiptare ndodhet aty ku thonë kanunarët se ndodhet, si mund të jetë gjatë kohë i pastër si loti? Pse vampirët kanunarë nuk ngopen me idenë e gjakut të femrës shqiptare e cila, si të gjitha femrat e botës, humb gjak gjatë menstruacioneve? Mos vallë, ajo duhet të qajë burrin, vëllain, birin ... me qëllim që lotët t’i rrjedhin pa ndalur deri te organi gjenital për ta larë atë ... ?
Biri i fisit nuk është aq i mençur sa të kuptojë se gjesti i tij i vjedhjes nuk është asgjë në krahasim me atë se çka bëhet për ta larë nderin tek të parët e tij. Poashtu, me krenari naive, ju informon se në familjen e tij të madhe ndodhet një valixhe e vogël, një lloj arke e vogël, e cila hapet në dy anët: TIK..TIK. Aty familja ruan Kanunin dhe një libër tjetër në një gjuhë të huaj ... Pleqtë, edhe pse shumica s’dinë t’i lexojnë shkrimet e zhubrosura, i shfletojnë ato, betohen në to dhe frymëzohen të vendosin për jetën dhe fatin e të tjerëve ... nën pretekstin e nderit.
E kuptoni mirë se bashkatdhetarit tuaj nuk i konvenojnë ligjet e vendit ku jeton dhe as ligjet e vendlindjes së tij. Atij nuk i konvenojnë as realiteti as teknologjia bashkëkohore sepse emri i tij është nderuar tashmë nga sistemi informatik. Me një të vetmin KLIK ... KLIK del e gjithë historia e veprimeve të tij. Ai s’do të gjejë kurrë në jetën e tij të shenjë punë aty ku kërkohet më i vogli besim. Kompjuterit nuk i ha as e djathta as e majta për nderin e fisit të atij që ka dosje kriminale. Por, nëse ai vetë, si person, dëshiron të arrijë sukses në jetë në mënyrë që prindërit e tij të krenohen sadopak me të, atij s’i mbetet gjë tjetër përveç të integrohet në “drejtësinë” paralele mafioze e cila, askund në botë, nuk i respekton ligjet e votuara as institucionet shtetërore.
Rasti i dytë. Kush ka marrë autobusin nga Tirana në Prishtinë e anasjelltas, pajtohet me juve se rruga është shumë e poshtër. Keni dëshirë të besoni se jeni në ëndërr kur mendoni se një gabim i vogël i shoferit mjafton të mos ju gjenden copat. Kështu, pak para se të arrini në cak, i jeni mirënjohës shoferit për profesionalizmin e tij. Ende pa e mbaruar mirë mendimin, shoferi e ndal automjetin. Një udhëtar del duke i premtuar se së shpejti do të dalë me të për një kafe. Disa udhëtarë të tjerë duan të dalin gjithashtu, por shoferi ua mbyll derën në hundë. Kolegu i tij, i cili është edhe pronari i kompanisë së autobusëve, i bërtet nga mesi automjetit për t’i përkujtuar se nuk ka stacion aty. “E kam shok”, përgjigjet shoferi para publikut. I irrituar nga vërejtja e punëdhënësit të tij, arsyetohet edhe më bindshëm: “ E kam shok! ... Ne shqiptarë jemi ... !”
Menjëherë, ju paragjykoni se diku në shtëpinë e ndershme të shoferit duhet të ndodhet një valixhe e vogël, një lloj arke e vogël, e cila hapet në të dy anët TIK ... TIK me nja dy libra të cilat interpretohen nga ata që s’i lexojnë fare. “E kam shok!”. Sikur ju të tjerët të ishit armiq të tij! “Ne shqiptarë jemi!” Sikur ju të tjerët të mos e kishin paguar biletën ... As shoku i tij s’është më i mirë! Nuk kërkohet nga tjetri të ndalë autobusin aty ku s’ka stacion në emër të miqësisë. Një shok i tillë është armik e jo mik. Po të kishit një dyqan, një shok i tillë do të vinte e do t’ju ulte çmimin patateve nën pretekstin e shoqërisë ... Ose do ju merrte patatet pa i paguar fare ...
Rasti i tretë. Kur ju personalisht jeni i detyruar të ftoni dikë për kafe, atëherë doza e kafeinës është më e forta. Keni nevojë për një shërbim shoqëror dhe nëpunësi që e takoni e komplikon çështjen me paramendim, me qëllim përfitimi, siç bëjnë kanunarët me gjakmarrjet. Nuk ju thotë se a duhet prekur gjurin me bërryl apo jo, por ju përmend kafen. Nga balli, nga veshët, nga fjala ... . e shihni se është prodhim kanunar si dy të parët. Ai patjetër duhet ta ketë atë valixhen e vogël, atë lloj arkën e vogël: TIK..TIK, jo vetëm në fis por edhe në zyrë! E kuptoni shpejt se fjala “kafe” nuk e ka kuptimin e asaj farës, asaj kokrrës së bluar të përzier me ujë ... me sheqer, pa sheqer, me qumësht, pa qumësht ... As fjala “kafe” as fjala “kanun” nuk janë me origjinë shqiptare por, në asnjë gjuhë tjetër në botë, ato nuk kanë kuptime më të larmishme.
Kafeina reagon dhe s’ju lë as të rrini i shtrirë në shtrat. Ngriheni dhe kaloni në sallonin tuaj të vogël ku ndodhet një valixhe e vogël, një lloj arke e vogël, e cila hapet me një kod (nderi) në të dy anët duke tingëlluar: TIK ... TIK. Aty ruani dy lloj gjërash që shfletohen ... me fotografi të nderit në letër të cilësisë më të lartë, akull fare!. Njëra revistë është në gjuhën e vendit ku jetoni, por nuk ju ka shkuar kurrë mendja ta lexoni sepse parapëlqeni ta bëni interpretimin e nderit sipas imagjinatës suaj. Tjetra, pothuaj e njëjtë, me fotografi pak më ekzotike, është në një gjuhë që nuk e deshifroni fare ... . japonisht ... apo ... djalli e di. As atë, nuk e ndieni nevojën ta lexoni ...
Duke e hapur valixhen e vogël me atë TIK..TIK në të dy anët, dëgjoni një zë nga shtrati nga i cili sapo dolët: “Çka dreqin ke në mesnatë?!” Duke e shikuar akrepin e vogël të orës së murit në tre të mëngjesit, përgjigjeni: “¨Çka kam? ... Më shkrepi të shkruaj”. Pastaj analizoni në mendje pyetjen e bashkëshortes: “Çka dreqin ke në mesnatë?” të cilën e keni dëgjuar disa herë vend e pa vend: para mesnatës, pas mesnatës ... “Nuk është mesnatë. Edhe ajo ia fut kot si kanunarët!” thoni me vete i zhgënjyer.
E dhatë fjalën e nderit se do të shkruanit, atëherë shkruani! Meqë s’bëtë çka deshët të bënit por vetëm menduat ta bënit, sikur në rastin e të gjithë atyre që rrëfehen, vendosni të rrëfeheni. Dorën në zemër, ju vjen keq që u prish plani! Ia kishit dhënë besën vetes që, duke shikuar fotografitë porno dhe duke u vetëshërbyer, të mos e preknit gjurin me bërryl, vetëm e vetëm për të nderuar kujtimin e atyre që deklarojnë gjaqe kur u shërbehet kafja me bërryl në gju.
E ndizni kompjuterin dhe e shkruani titullin e këtij shkrimi. Çuditërisht fjalët “KANUNI” dhe “KAFJA” ju tingëllojnë mu si në ankth: KK ... “Krimi” dhe “Korrupsioni”.