
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja dhe me fitue...
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot -
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej
shumë shtrenjtë t'u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast' i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë:
S'duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historisë njerëzore,
jo! jo! s'i duem humbjet prore -
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje
dhe mendimi të lirë!
S'duem, për hir të kalbsinave të vjetra,
që kërkojnë "shejtnim",
të zhytemi prapë në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prapë kangën e trishtimit,
kangën monotone,
pa shpirt, të sklavnisë -
të jemi një thumb i ngulun
ndër trutë e njerzisë.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin tonë të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem' me ra fli.
| Çajupi (6) | Bogdani (8) | Drenova (4) | Frakulla (3) |
| Frashëri (5) | Kadare (2) | Kamberi (2) | Kuteli (14) |
| Malëshova (2) | Mekuli (4) | Mjeda (6) | Nikolla (12) |
| Noli (5) | Pasha (1) | Podrimja (9) | Poradeci (1) |
| Rada (3) | Serembe (1) |