
Të pashë, det Adriatik, të pashë,
Si zanë je prej qiellit i pikuar,
Plot me margaritarë je trazuar
Dhe gjiri i yt plot hire si një vashë.
Më gjunj si perëndeshe ty të rashë
Për hijet, bukurin' e patreguar,
Prej gazit madh që ndjeva, pa duruar
Me lot për faqe shkova dhe të lashë.
Si ar i derdhur dritët të shkreptijnë,
Pallate prrallash çfaqen plot magjie
Tek valle vajza dredhin mbi lendinë.
Të rinj për dorë, tek po ven' e vijnë
Kujtime t' ëmbla, botë lumërie:
M'u duk se pashë vetë Perëndinë!