Porta shqipe   |  Mësime për programin Adobe Flash

Flash

Tregimi i përqindjes së ngarkimit

Nëse madhësia e filmit në flash (për shembull për video, fragmente muzikore ose përmbajtje me shumë imazhe) ngarkohet në faqe është mirë që të tregohet se sa përqind të filmit është ngarkuar dhe duhet të ngarkohet. Në këtë mësim tregohet një shembull i thjeshtë i ngarkimit. Nëse ju e përdorni në faqet tuaja të uebit në vend të shtyllës së thjeshtë mund të përdorni një formë më estetike, por mos e teproni se parangarkimi bëhet i rëndë sa ngarkimi dhe nuk tregohet disa sekonda. Në këtë mësim kjo nuk është e mundshme sepse unë kam përdorur një simbol me madhësi më të vogël se 0.01 kilobajt.

Ky skript i ngarkimit llogarit sa kilobajt (anglisht "kilobytes", njësi e matjes së madhësisë së skedarit) është ngarkuar dhe e krahason atë me madhësinë e plotë të skedarit (filmit në flash). Për këtë arsye mund të ndodh që numri një a dy përqind nuk tregohet (nëse përdorni pamje të ndërlikuar) sepse kjo është përqindja e ngarkuar e skedarit për tregimin e vetë përqindjes.

Ngarkimi i imazhit të jashtëm

Krijo një dokument të ri dhe ruaje menjëherë skedarin që të mos humbet puna gjatë përpunimit. Importo në librari një imazh, për shembull një fotografi nga interneti. Nëse nuk keni fotografi mund të shkarkoni nga ky sajt fotografi nga sfondet. Sa më i madh që është imazhi aq më mirë mund të kontrollohet se si punon përqindja e ngarkimit. Imazhi i vogël ngarkohet shpejtë dhe nuk shihet përqindja. Ju mund të përdorni edhe një dokument tjetër ose një fragment muzikor në vend të imazhit.

Kliko në File > Import > Import to Library

Pas importimit imazhi vendoset në librari. Hape librarinë me pullat Ctrl-L (Window > Library). Mos bëj asgjë tani. Mos e vendos imazhin në skenë. Vetëm shiko se a shihet ikona e imazhit të importuar në librari.

Shtylla e ngarkimit

  • Krijo një simbol të ri (Insert > New Symbol).
  • Emëro këtë simbol simboli për ngarkim (emri nuk është me rëndësi këtu)
  • Për tip zgjidh MovieClip . Tjera gjëra mos ndrysho se nuk punon pastaj skripti nga ky mësim.
  • Kliko në pullën OK (Në rregull)
  • Tani hapet një dritare e re ku mund të krijohet ose ndryshohet simboli
  • Vizato këtu një shtyllë horizontale: 100 pikëza (pixels) e gjerë dhe 20 pikëza e lartë. Ngjyra nuk është me rëndësi por për ta dalluar nga sfondi mos përdor ngjyrë të njëjtë.
  • Kthehu te skena (Kliko në Scene, apo në shigjetën për kthim prapa).
  • Simboli i krijuar është ruajtur tani në librari. Nëse nuk e keni mbyllur librarinë mund të shihni simbolin e krijuar aty.

Shtresat

Krijo katër shtresa me këta emra:

    1. përmbajtja
    2. veprimet
    3. përqindja
    4. shtylla

Pas shtimit të një shtrese të re Adobe Flash i emëron shtresat me emrin "Untitled" dhe numrin rendor, që nga anglishtja do të thotë "pa titull". Për të ndryshuar emrin e shtresës kliko dyfish në tekstin e emrit dhe shtyp emrin që dëshiron.

Shtresa: përmbajtja

  • Kliko në kornizën e pestë me pullën e djathtë të miut dhe pastaj kliko në listën e hapur në Insert Keyframe
  • Nëse e keni mbyllur librarinë ajo mund të hapet me Ctrl-L ose duke klikuar në Window > Library.
  • Tërhiqe imazhin nga libraria dhe vendose në këtë kornizë.
  • Bllokoje shtresën (kliko në dry, pika e dytë pas emrit të shtresës) që të mos ndryshohet kjo shtresë pa qëllim gjatë përpunimit të shtresave tjera.

Çka janë shtresat

Shtresat përdoren për vizatimin dhe/ose vendosjen e objekteve mbi njëra tjetrën. Shtresa me renditje më të lartë tregohet e para, pastaj ajo përfundi. Shtresa me numër një është e fundit. Numri më i lartë tregohet i pari, sikur kur i palosni sendet mbi njëri tjetrin.

Shtresa: shtylla

  • Kliko një herë me pullën e djathtë të miut në kornizën e parë të shtresës shtylla dhe nga lista e hapur zgjidh Insert Frame.
  • Në këtë kornizë të re të futur (pra në kornizën e parë) tërhiqe shtyllën e vizatuar (MovieClip-in me emrin simboli për ngarkim) nga libraria dhe vendose në skenë.
  • Caktoja këtij simboli një emër. Kjo është me rëndësi sepse përdoret për të thirrur këtë simbol me kod për të treguar rritjen e tij sipas përqindjes së ngarkimit. Për këtë mësim quani atë shtyllaPerNgarkim.
  • Bllokoje tani edhe këtë shtresë që të mos ndryshohet gjatë përpunimit të shtyllave tjera.

Shtresa: përqindja

  • Kliko me pullën e djathtë të miut në kornizën e parë të shtresës me emrin përqindja dhe kliko në Insert Frame.
  • Në këtë kornizë të futur krijo një fushë me tekst dinamik. Kjo bëhet duke e zgjedhur pullën e vizatimit të tekstit (ikona me germën T për tekst) dhe duke e tërhequr atë në skenë.
  • Caktoja kësaj fushe emrin tekstiMePerqindje.
  • Mos gabo me ngjyrë të tekstit. Teksti i bardhë nuk shihet në sfond të bardhë.

Shtresa: veprimet

  • Kliko me pullën e djathtë të miut në kornizën e dytë të shtresës veprimet dhe kliko në Insert Blank Keyframe
  • Hape dritaren për skript duke klikuar në pullën e funksionit numër 9 (F9), ose duke klikuar në Window > Actions
  • Me kornizën e zgjedhur (kornizën e re të krijuar, korniza e dytë) ngjite këtë kod në dritaren e skriptit
sasiaEngarkimit = Math.round(getBytesLoaded());
ngarkimiTotal = Math.round(getBytesTotal());
perqindja = sasiaEngarkimit/ngarkimiTotal;
shtyllaPerNgarkim._width = perqindja*100;
tekstiMePerqindje = "Filmi është në ngarkim e sipër: " + Math.round(perqindja*100) + "%";
if (sasiaEngarkimit == ngarkimiTotal) {
gotoAndStop(5);
} else {
gotoAndPlay(1);
}

Sqarim i kodit

sasiaEngarkimit është variabël (ndryshore) të cilën ne e kemi krijuar me qëllim që të përdorimim atë për funksionin që është në dispozicion nga programi Flash, i quajtur getBytesLoaded (në anglisht do të thotë "merr bajtët e ngarkuar").  Funksioni matematikor math.round (sikur në të gjitha skriptet tjera) përdoret që numri të rrumbullakohet, me fjalë të thjeshta shqipe do të thotë që të mos tregohen numrat e vegjël me presje, për shembull 00.1%)

ngarkimiTotal është variabël tjetër të cilën ne e kemi krijuar për përdorimin e funksionit getBytesTotal. Ky funksion llogarit madhësinë e plotë të filmit (skedarit .swf).

përqindja është variabël tjetër të cilën ne e kemi krijuar. Kjo variabël llogarit tani numrin e ngarkimit thyer ngarkimin total.  

shtyllaPerNgarkim._width = perqindja*100;
shtyllaPerNgarkim është emri i simbolit të cilin ne e kemi krijuar në fillim. Këtu kërkojmë që gjerësia e këtij simboli të rritet sipas funksionit tonë të llogaritjes së përqindjes (shiko një paragraf më lartë) e shumëzuar (* për shumëzim) me 100 (px). Kjo kujdeset që vizatimi ynë i shtyllës të rritet sipas numrit të ngarkuar të filmit.

Nëse gjithçka është bërë sipas udhëzimeve këtu, tani përqindja e ngarkimit duhet të punoj. Për të kontrolluar filmin kliko në Ctrl-Enter (ose në Window > Test Movie).

tekstiMePerqindje është fusha e tekstit dinamik. Gjatë shfaqjes së filmit tregohet teksti i shkruar në mes të thonjëzave dhe llogaritja e përqindjes. Në shumë gjuhë të skriptit përdoret shenja + (në PHP përdoret pika: "kjo"  . "dhe kjo" ) për të lidhur pjesët e skriptit.

if (sasiaEngarkimit == ngarkimiTotal) {
gotoAndStop(5);
} else {
gotoAndPlay(1);
}

Këtu e udhëzojmë programin Flash se nëse (if) ndryshorja sasiaEngarkimit është njësoj (==) sikur ndryshorja ngarkimiTotal atëherë koka e tregimit të filmit duhet të shkoj tek korniza numër 5 dhe të ndalet aty, përndryshe (else), pra nëse filmi nuk është ngarkuar ende plotësisht, duhet të shkoj tek korniza numër një. Kjo kornizë është ajo ku tregohet përqindja e ngarkimit.

Kontrollimi i filmit

Me programin Flash është e mundur kontrollimi i filmit sikur që tregohet tek vizitori i internetit. Për të parë se a punon ky skript si duhet kliko në Ctrl > Enter.

Për të nxitur (stimulate) shfaqjen e filmit kliko prapë në Ctrl+Enter.  Në këtë mësim për ju e kam përdorur unë një imazh shumë të madh me qëllim, që të shihet më lehtë përqindja e ngarkimit. Nëse e përdorni mundësinë e ngarkimit sikur që shihet më poshtë zgjat disa minuta nxitja e ngarkimit. Shpejtësia e ngarkimit 28.8 (2.3 kilobajt për sekond) është nga vitet e para të internetit duke përdorur lidhje telefonike. Tani gati askush nuk ka lidhje aq të ngadalshme me internet.

Këtu mund të shkarkoni burimin e skedarit në Flash dhe fotografinë e përdorur në këtë mësim (5MB). Skedari është në Flash nga CS4. Kërkoj falje por tjetër version nuk kam tani në dispozicion për të vendosur këtu. Nëse i lexoni këshillat e mija si duhet kjo metodë punon prej versionit 5 (nga viti 2000) e tutje.

© Porta Shqipe - 2010 - Tė gjitha tė drejtat e rezervuara