Për këtë mësim duhen dy fotografi të ndryshme: një fotografi për sfond dhe fotografia e cila duhet të prehet në formë.
Ti mund të klikosh në secilën fotografi tek ky mësim për zmadhim të pamjes. Për fillestarë gjithashtu sqarohet posaçësht kuptimi i fjalëve të përdorura. Kliko në hiperlidhje për ta hapur ose për ta mbyllur sqarimim.
Të lutem ruaje natyrën! Mos e shtyp këtë mësim në letër pa nevojë.
1Krijo një dokument të ri me tre shtresa. Shtresën e parë quaje “sfondi” dhe shtresën e dytë “zemra” (ose forma tjetër të cilën dëshiron ta përdorësh) dhe shtresën e tretë “martesa”. Mos harro se emri i shtresës ka rëndësi. Programet grafike e lexojnë këtë emër dhe duhet të jetë logjik dhe jo shtresa1, shtresa2, etj.
Në programet grafike shtresat (anglisht layers) mundësojnë që objektet të vendosen mbi njëra tjetrën. Tek programi Adobe (Adobi) Photoshop (fotoshop) shtresa mund tė shtohet me kombinimi e pullave tė tastierės “Ctrl+Shift+N”, ose duke klikuar në menu në Layer > New > Layer
Kur krijohet një dokument të ri me Photoshop gjithmonë shtresa e parë quhet Background dhe është e kyçur. Kjo shtresë mund të hiqet vetëm pas shtimit të një shtrese tjetër. Për të hequr shtresën e parë (nëse ju pengon), pas shtimit e shtresës së re, klikoni me pullën e djathtë të miut në shtresën e parë dhe pastaj në Delete.
2Vendose pamjen e sfondit në shtresën e parë
3Vendose formën për prerje në shtresën e dytë (më lartë se shtresa e parë).
4Vendose fotografinë në shtresën e tretë (më lartë se shtresa me formë). Pasi që shtresa e tretë është mbi shtresat tjera nuk shihet, kjo i mbulon pamjet tjera dhe nuk mund të shihet më forma e vizatuar. Për të fshehur fotografinë në shtresën e fundit kliko në syrin në anën e majtë të shtresës. Kështu duken shtresat tani në Photoshop
Për të hapur gomën shtype pullën E nga tastiera (për Eraser) ose kliko në pullën me gomë tek shtylla me pajisje të punës. Për të ndërruar madhësinë kliko tek vetitë e gomës, sikur që tregohet këtu.
